Një grup studentësh të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, në Tiranë, vizituan Gjykatën e Lartë, në kuadër të iniciativës “Dita e hapur në Gjykatë”

NJOFTIM PËR MEDIAN

Gjykata e Lartë, në kuadër të iniciativës “Dita e hapur në Gjykatë”, hapi dyert të enjten, për një grup studentësh të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, në Tiranë. Studentët vizituan nga afër ambjentet e Gjykatës së Lartë dhe ndoqën një Orë të Hapur diskutimi me anëtarin e Kolegjit Civil Z. Darjel Sina, si edhe me specialistin e Qendrës së Dokumentacionit Oltion Musaj, në lidhje me historikun dhe organizimin e pushtetit gjyqësor, që në 1913 e deri në ditët e sotme. Diskutimi mes studentëve e gjyqtarit, u fokusua në tema me interes për drejtësinë, gjyqësorin, ndarjen e pushteteve, ndryshimet ligjore dhe veçanërisht në organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë.

Gjykata e Lartë mendon dhe i kushton rëndësi faktit se, përfshirja e paketave informuese dhe programeve rreth edukimit ligjor, është një mekanizëm i cili synon të afrojë më shumë çdo të interesuar për t'u njohur me këtë institucion, historinë dhe rëndësinë që ai mbart.

"Dita e Hapur në Gjykatën e Lartë", është konceptuar si një ditë dialogu mes nxënësve të të gjitha moshave, studentëve dhe gjyqtarëve. Gjatë kësaj dite gjyqtarët i përgjigjen me detaje çështjeve apo pyetjeve të shtruara nga të ftuarit, bëjnë një panoramë të sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe testojnë njohuritë e përgjithshme të nxënësve dhe studentëve mbi sistemin gjyqësor, trajtimin e temave të ndryshme me interes sipas grupeve që vizitojnë gjykatën, si edhe vizita në ambjente të ndryshme të godinës, sallave të gjyqeve, sallës së mbledhjes së gjyqtarëve, etj.

Kushdo që ka interes për të vizituar Gjykatën e Lartë, (qytetarë, studentë, nxënës shkollash) duhet të regjistrohet në faqen zyrtare të kësaj gjykate www.gjykataelarte.gov.al/sq/akreditimi ku do të vendosë emrin dhe mbiemrin, adresën e emailit, si edhe një tekst të shkurtër mbi arsyen apo qëllimin e vizitës. Më pas stafi organizator, Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun, Median dhe me Jashtë, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për organizimin e vizitës.

Duke shpresuar se kjo mundësi do të shërbejë për të arritur qëllimin tonë, për një gjykatë më pranë publikut, më transparente dhe miqësore, ftojmë të gjithë të interesuarit të bëhën pjesë e saj.